Tarta me krem pastiçerie dhe fruta të ndryshme

Pasditet e ditëve të pushimit, e meritojnë gjithmonë një ëmbëlsirë! Kur është e lehtë, nuk keni pse i llogarisni shumë kaloritë, shkruan Living.

Mund të përdorni çfarë frutash të keni në shtëpi për të shoqëruar kremin.

Përbërësit për 6 tarta të mesme:

Për brumin Frola:

250gr miell ● 125gr gjalpë i butë ● 70gr sheqer ● 2 të verdha vezësh ● ½ sodë për ëmbëlsira ● lëkura e grirë e një limoni bio

Për kremin pastiçeri:

250ml qumësht me yndyrë ● 2 të verdha vezësh ● 65gr sheqer ● 40gr miell ● lëkura e grirë e një limoni bio

Përgatitja e kremit pastiçeri:

Në fillim përgatisim kremin pastiçeri. Përziejmë gjysmën e sheqerit me miellin, lëkurën e limonit dhe qumështin në një tenxhere të vogël. E vëmë tenxheren në flake të ulët dhe e lëmë të ngrohet duke e përzierë vazhdimisht me rrahësin e vezëve me dorë.

Kur të jetë ngrohur, por të mos ketë marrë valë, e heqim mënjanë. Rrahim të verdhat e vezëve me sheqerin që na ka mbetur dhe këtu shtojmë ngadalë përzierjen e qumështit që kemi te tenxherja.

E përziejmë mirë dhe e hedhim tani të gjithë përzierjen në tenxhere dhe e vëmë në flake të ulët duke e përzierë përsëri me rrahësin e vezëve me dorë derisa të marrë valë, duke e lënë të ziejë për 3 minuta.

E lëmë të ftohet të mbuluar me letër plastike për kuzhinë, në kontakt direkt me kremin.

Përgatitja e brumit Frola:

Përziejmë miellin, kripën dhe gjalpin derisa të kemi një përzierje si thërrime të vogla. Hapim një gropë të vogël në mes dhe hedhim të verdhat e vezëve me sheqerin, lëkurën e grirë të limonit, sodën dhe një lugë ujë.

E përziejmë me dorë derisa të kemi një brumë homogjen (brumin mund ta përgatitni direkt në robot nëse dëshironi). I japim brumit formë të rrumbullakët, e mbështjellim me letër plastike për kuzhinë dhe e lëmë të pushojë në frigorifer për 30 minuta.

Pas kësaj kohe e marrim brumin dhe e ngrohim pak me duar për ta zbutur. E hapim me petës dhe mbulojmë me të 6 format e tartave. E shpojmë bazën e tyre me pirun dhe I pjekim në furrë për 15-20 minuta afërsisht ose derisa të kenë marrë pak ngjyrë (kujdes që të jenë pjekur edhe poshtë).

Kur tartat e pjekura të jenë ftohur, i mbushim me krem pastiçeri dhe i zbukurojmë sipas dëshirës me fruta të freskëta. Ruhen në frigorifer.

Article Categories:
KEK & Biskota

Don't Miss! random posts ..