Rizoto me pulë të mbushur me fruta të thata

Përbërësit:

-Oriz bazmat të zier,
-ananas,
-verë të bardhë,
-gjalpë të shkrirë,
-hudhër, lakër të kuqe,
-majdanoz, xaferrano,
-bathë të pjekura.

Për mbushjen e pulës nevojiten: kumbulla, luleshtrydhe, kajsi të thata, manxurane, fara të qëruara.

Për salcën: pana, qepë, arrë të qëruara, konjak, gjalpë, kardhamo, lëng panxhari.

Përgatitja;

Në një tigan shtojmë pak gjalpë të shkrirë dhe e vendosim në zjarr. Mbi gjalpë shtojmë pak hudhër të prerë, majdanoz si dhe lakrën e kuqe të grirë. Të gjithë ingredientët i trazojmë së bashku, duke i shtuar edhe bathët e pjekur. I shtojmë gjithashtu pak verë të bardhë si dhe ananasin e grirë. Në momentin që alkooli ka avulluar në tigan shtojmë pak xaferano dhe vazhdojmë përzierjen. Më pas shtojmë edhe orizin gjysmë të zierë si edhe pak verë të bardhë.

Një letër kuzhine e lyejmë me gjalpë dhe mbi të hedhim pak kripë, piper te kuq, farat e lulediellit të qëruara. Mbi to do të shtrojmë gjoksin e pulës të cilën e kemi rrahur dhe e kemi përgatitur në formë filetoje.

Mbi të hedhim pak kripë dhe vendosim kumbullën, luleshtrydhen si dhe kajsinë e thatë. Në mes të tyre vendosim rozmarinën. Fileton e pulës e mbështjellim bashkë me ingredientët brenda dhe e vendosim në një tepsi për t’u pjekur në furrë. Temperature e pjekjes duhet të jetë 200 gradë, ndërsa kohëzgjatja duhet të jetë 15 minuta. Pasi pjekja e filetos është bërë në mënyrën e duhur e presim atë në rrathë roleje.

Përgatitja e salcës:

Në një tiganë shtojmë gjalpin, qepën e grirë hollë, arrat e qëruara, pak kardhamo, kripë, piper të zi dhe e vendosim në zjarr që të skuqen. Sapo ingredientët kanë marrë një ngjyrë të artë, mbi to shtojmë konjakun.

Në momentin që procesi i përflakjes ka mbaruar në tigan shtojmë panën dhe e trazojmë me përbërësit. Masës së krijuar i shtojmë lëngun e panxharit. Në këtë mënyrë salca do të marrë një ngjyrë violet.

Salcën e përgatitur e vendosim në një ananas të cilit i kemi hequr pjesën e brendshme.

Në një enë të thellë vendosim orizin e zier dhe mbi të roletë e filetos së pulës. Në anë të pjatës vendosim ananasin të cilin e kemi mbushur me salcën e përgatitur. Pjata është gati për tu servirur. Ju bëftë mirë!

Article Tags:
Article Categories:
Receta me mish Pule

Don't Miss! random posts ..