Presh me beshamel dhe me miell orizi

preshNjë recetë e thjeshtë me kosto të lira. Ju duhen pak përbërës për të pasur një pjatë të tillë plot shije.

Jemi në sezonin e preshit dhe për disa kjo perime nuk është aq e dashur, por me recetën time do të ndryshoni mendim. Me beshamelën e bërë me miell orizi është e përshtatshme edhe për ju që jeni intolerant ndaj gluteinës.

Përbërësit:

• 500 g presh
• 2 lugë vaj ulliri
• 1 lugë me susam të zi ose të bardhë
• disa degë trumëz
Për beshamelën me miell orizi:
• 100 g gjalpë
• 100 g miell orizi
• 600 ml qumësht
• pakëz arrë myshku
• 1 lugë të vogël kripë
• pak piper të zi
Përgatitja:
Pastroni preshin mirë duke hequr pak pjesën e gjetheve dhe pritini në copa të mëdha gati më 3-sh.
Vërini të ziejnë në ujë me kripë për 10-15 minuta. Kullojini me kujdes që mos t’u prishni formën dhe renditini në një tavë të lyer me vaj ulliri poshtë. Shtoni gjethe trumëze, pak piper të zi dhe kripë.
Ndërkohë, përgatisni beshamelën duke shkrirë gjalpin, shtoni miellin e orizit dhe vazhdoni skuqeni, por mos e lini të marrë shumë ngjyrë. Hiqeni dhe shtoni qumështin, përziejeni vazhdimisht që mos t’ju bëhet me kokrriza dhe vendoseni përsëri në zjarr që të trashet. Shtoni kripën, piperin dhe arrën e myshkut dhe lëreni mbi zjarr duke e përzierë pa ndalesë derisa të trashet dhe të bëhet e kremtë.
Shtoni salcën sipër preshit, duke e mbuluar plotësisht. Spërkateni sipërfaqen me susam dhe pak vaj ulliri sipër.
Piqini në furrën e nxehur më parë në 180°C derisa sipërfaqja të jetë e thekur mirë.
Shërbejini të ngrohtë.

RECETA TË NGJASHME


Article Categories:
Gjellëra

Don't Miss! random posts ..