Pavlova me luleshtrydhe

Përbërësit:

Për mafishet: 4 të bardha vezësh, 120 gr sheqer, 120 gr sheqer pluhur.

Për mbushjen: 250 gr krem qumështi (pana), lëkurë e grirë lemoni.

Për salcën: 400 gr luleshtrydhe, 40 gr sheqer

 

Për të përgatitur marengën, duhet që të rrihni fort në mikser të bardhat e vezëve me sheqerin dhe kur të krijohet një masë e njëtrajtshme si mal me borë, atëherë hidhni edhe sheqerin pluhur.

Me një lugë hidhni marengën në një tepsi (mundësisht të keni shtruar në tepsi letër kuzhine, që shërben për pjekje) duke formuar forma të ndryshme, rreth 10 cm secila. Mos harroni që format nuk duhet të jenë si piramidë, por si fole zogjsh.

Piqini për rreth 60 minuta në 90 gradë celsius dhe kështu keni krijuar bazën e ëmbëlsirës që ndryshe quhet mafishe.

Për të përgatitur mbushjet, duhet të rrihni fort panën në mikser derisa të bëhet si shkumë dhe pastaj të shtoni lëkurën e grirë të limonit për t’i dhënë mbushjes shije dhe aromë.

Ndërsa për salcën grijini luleshtrydhet në mikser bashkë me sheqerin dhe do të krijohet një masë si pelte.

Pasi të jenë pjekur mafishet, në mes të tyre vendosim mbushjen, i zbukurojmë me luleshtrydhe të prera në mes dhe i spërkasim me salcë.

Nëse nuk duam të bëjmë racione të vogla, marengën mund ta pjekim të pandarë, duke krijuar kështu një ëmbëlsirë në formë torte.

Kjo ëmbëlsirë ndryshe quhet pavlova.

Ju bëftë mirë!

Article Tags:
Article Categories:
KEK & Biskota

Don't Miss! random posts ..