Biskotat ”Yje prej kanelle”

Biskotat ''Yje prej kanelle''Përbërësit:
-3 të bardha veze
-250 gr sheqer pluhur
-pak kripë
-2 lugë çaji kanellë
-pak liker bajamesh (jo patjetër, mund t’i vini dhe liker portokalli ose aromë bajamesh, aromë rumi ose asgjë, nëse nuk keni asnjë nga këto)
-1 luge gjelle lëkurë të grirë portokalli
-350-400 gr miell bajamesh ose gjysmë për gjysmë, përzier me lajthi. Mua më pëlqen e perzier me lajthi (masa e dhënë në recetë varet dhe nga madhësia e vezëve ndaj mos i vini të gjithe miellin e bajameve menjëherë, shikoni sa do ju marrë që të përftoni një brum të fortë dhe jo shumë ngjitës).

Përgatitja:
Lyejmë një tavë me pak yndyrë dhe mbi të vëm letrën e pjekjes. Furrën e ngrohim në 150 gradë.
Rrahim të bardhat e vezëve me pak kripë derisa të perftojmë një marengë të fortë. Duke vazhduar rrahjen shtojmë sheqerin pluhur pak nga pak, jo të gjithin njëherësh. Heqim mënjanë rreth 4 lugë gjelle nga marenga e ëmbël. Kjo do na duhet për pjesën e sipërme të biskotave.
Tek pjesa tjetër e marengës shtojmë miellin e bajameve ose miellin e bajameve të përzier me lajthi (200 gr bajame+200 gr lajthi) jo të gjithin njëherësh, lëkurën e portokallit, kanellën, likerin.
Pasi kemi përftuar një brum të fortë, e hapim në tavolinë me ndihmën e një petëzi të cilin e lyejmë me sheqer pluhur dhe tavolinen e punës po ashtu që të parandalojmë ngjitjen e brumit. Brumin e hapni rreth 6-7 mm të trashë.
Formen yll e fusim me parë në sheqer pluhur pastaj i presim format një nga një. Unë përdora dy forma të madhësive të ndryshme.
I vini në tavën e përgatitur për pjekje. Me një thikë merrni pak marenge dhe e hapni me kujdes mbi gjithë sipërfaqen dhe i lini të thahen në temperaturë ambjenti. I vini për të pjekur rreth 12-15 minuta edhe kjo varet nga soba juaj, mund t’iu zgjasë edhe pak më shumë, shiheni me sy. Biskotat nuk duhet të errësohen, pjesa e sipërme duhet të ngelet e bardhë dhe poshtë ngelen të buta po njëkohësisht janë të pjekura. I lini të ftohen rreth 20 minuta dhe mund t’i përdorni menjëherë.
I ruani në një kuti hermetike, qëndrojnë të buta rreth 2 javë./living/

Article Categories:
KEK & Biskota

Don't Miss! random posts ..