Barbunj me domate

barbunj-me-domate_hdPeshqit barbunj kanë një të veçantë. Ata kanë një ngjyrë të kuqërremtë, kokë të stërzgjatur. Zakonisht janë peshq të vegjël mishi i të cilëve është mjaft i shijshëm dhe pothuajse nuk ka luspa. Gatuhen në disa mënyra.

Përbërësit:

* 12 copë barbunj të vegjël
* 1/2 filxhan çaji vaj
* 5 kokrra mesatare domate
* 3 kokrra qepë të mëdha
* 2 gota e gjysmë lëng peshku
* 1 limon
* majdanoz i grirë
* 1 lugë gjelle miell
* kripë e piper

Gatimi:
Pastrohen peshqit, lahen e kullohen. Vihet vaj në tigan e pasi të nxehet mirë, skuqen të kaluar në miell nga të dyja anët 2-3 minuta nga njëra anë dhe pastaj nga ana tjetër (peshku duhet të marrë vetëm ngjyrë dhe jo të piqet plotësisht).

Pas skuqjes u hidhet kripë e piper e radhiten në tavë, të cilën e kemi lyer më parë me vaj. Lihen në anë të sobës e jo në zjarr.

Në një enë tjetër hidhet vaji me të cilin u skuqën peshqit, por pasi është kulluar mirë shtohen qepët e prera hollë, të cilat skuqen lehtë, hidhen domatet e qëruara nga cipa e të prera në kubikë të vegjël. Lihet kjo masë të ziejë në zjarr të ngadaltë pa i vënë kapak rreth 30 minuta, duke patur kujdes që herë pas here ena të tundet që të mos digjet qepa (nuk rekomandohet përzierja me lugë).

Më vonë hidhet lëng peshku ose ujë dhe lihet të përfundojë zierja deri dhe 20 minuta.

Salca e përgatitur, u hidhet përsipër peshqve që të mbulohen plotësisht. Vihet tava në furrë 10-15 minuta që të piqet.

Pas pjekjes spërkatet me lëng limoni dhe me majdanoz të grirë hollë.

Peshqit barbunj për t’u gatuar si më sipër duhet të jenë rreth 200-250 g për një racion. Po të jenë më të vogla, ato bëhen të skuqura.

Article Tags:
Article Categories:
Peshk & Fruta Deti

Don't Miss! random posts ..